Ballafaqimi me paragjykimet për aftësitë e kufizuara, me një filxhan kafe të nxehtë

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

Ballafaqimi me paragjykimet për aftësitë e kufizuara, me një filxhan kafe të nxehtë

Trajnimet për hoteleri për personat me aftësi të kufizuara janë pjesë e aktiviteteve të projektit të mbështetur nga Zvicra “Arsim për Punësim në Maqedoninë e Veriut”. Tridhjetë njerëz u trajnuan për t’u bërë kamerierë, banakierë dhe kuzhinierë, dhe shumë prej tyre u punësuan menjëherë pas mbarimit të trajnimit. Njëri prej tyre është Zhivko Kosteski, kamerier në një bar në Shkup.

Puna e përditshme e Zhivkos prapa banakut në lokalin e kafe barit Umbrella ©FDFA

Aroma e pasur e kafesë freskët të zierë mirëpret klientët që shkojnë në kafe barin Umbrella në Qendrën Tregtare të Qytetit, në Shkup. Edhe pse është mëngjes i vonshëm, dhe ka kaluar shumë kohë nga orari i zakonshëm i kafes së mëngjesit, disa klientë ulen në tavolinë. Duke u afruar me një gjuhë disi të ndrojtur të trupit, kamerieri 22-vjeçar Zhivko Kosteski merr porosinë nga njëra tavolinë. Ndërsa ai përsërit porosinë e klientit për tu siguruar që e ka marrë atë në rregull, kolegu i tij Berat Jakupi përgatit espreso mashinën për porositë që do të vijnë. Zhivko, i diplomuar në shkollën për hoteleri “Lazar Tanev”, më në fund gjeti atë që i pëlqen.

“Ëndrra e Zhivkos u realizua kur filloi të punojë këtu, të paktën kështu thotë ai dhe kjo është ajo që ka rëndësi për mua,” tha Marjan Petrov, menaxheri i bar-kafesë “Umbrella”. “Ai ishte këmbëngulës të mësonte çdo manovër për shërbim dhe komunikim me klientët dhe pati sukses pavarësisht aftësisë së tij të kufizuar. Shërbimi i një kafeje ose prezantimi i një pjate nga menyja e ushqimit me buzëqeshje të madhe në fytyrën e tij, është vetëm një ditë tjetër në “zyrën” e Zhivkos. ”

Por para se ta gjente këtë shans për ta përdorur talentin e tij, Zhivko u përpoq të gjente punë. Filloi të kërkonte punë menjëherë pas shkollës së mesme, por refuzimi i zakonshëm dhe i sjellshëm ishte: “Tani për tani, nuk kemi nevojë për staf shërbyes”! Zhivko e dinte që restorantet kanë nevojë për staf profesional, kështu që ai nuk hoqi dorë kurrë nga ëndrra të bëhet kamerier, banakier apo edhe kuzhinier.

Pavarësisht diplomës së tij për , Zhivko besonte se fitimi i aftësive të reja do ta bënte atë më konkurrues në tregun e punës. Në fillim të vitit 2019, Zhivko e gjeti mundësinë e tij. Kompania Master Protection përmes filialit të saj DownForYou filloi trajnime për hoteleri për personat me aftësi të kufizuara nën mentorimin e Sofija Georgievska, Asistent profesor për Punë dhe Politikë Sociale në Universitetin Shën Cirili dhe Metodi në Shkup. Trajnimi u përqendrua në profesionet për kamerier, kuzhinier, barist, komunikim me klientët, dhe u përshtat me aftësitë e një grupi të madh prej 30 personash me aftësi të kufizuara.

“Në bashkëpunim me Agjencinë për Punësim të Maqedonisë së Veriut, ne ju qasëm afër 150 të rinjve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre, nga të cilët 30 pjesëmarrës erdhën në trajnim. Këto trajnime janë shumë të rëndësishme për ata, pasi fitojnë vëmendjen sociale që vështirë se ua jep dikush, për tu pajisur me aftësi profesionale. Gjetja e punës pas një trajnimi të tillë është “ilaçi” i vërtetë që ju duhet atyre”, tha Sofija Georgievska, e cila organizoi trajnimet.

Zhivko ka çrregullim të spektrit autik. Ai nuk humbi asnjë orë dhe i vizitoi të gjitha seancat trajnuese, me shumë mbështetje nga prindërit dhe e dashura e tij. Pas përfundimit të programit të trajnimit, ai më në fund gjeti mundësinë e tij. Kafe-bari Umbrella, identifikoi potencialin e Zhivkos dhe i ofroi punë, duke e përshtatur me Beratin, një banakier me përvojë, i cili ka dëmtim të fortë vizual dhe albinizëm. Pavarësisht vështirësive dhe luftës me kufizimin e tyre çdo ditë, Zhivko dhe Berati gjithashtu luftojnë edhe pengesat sociale, duke qëndruar kështu jashtë përjashtimit shoqëror.

“Buzëqeshja e tij e bën kafenë edhe më të mirë. Niveli i përkushtimit të Zhivkos ndaj punës është befasues, uroj që të gjithë banakierët të ishin si ai”, tha një klient i rregullt në bar.

Duke marrë parasysh që numri i të punësuarve me aftësi të kufizuara në Maqedoninë e Veriut është mjaft i ulët, disa ofrues të aftësimit profesional, organizata për persona me aftësi të kufizuara dhe kompani ua tregojnë rrugën duke organizuar trajnime për formim profesional.

Trajnimi për hoteleri, në të cilin morri pjesë Zhivko u mbështet nga projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim “Arsim për Punësim në Maqedoninë e Veriut – E4E@мк”. I organizuar në kuadër të Fondit të mundësive të E4E, trajnimi rezultoi në punësimin e 6 personave me aftësi të kufizuara në restorante dhe hotele. Këtë vit, Fondi i Mundësive i  E4E u bë pjesë e Programit Operacional të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, duke u përqendruar në ofrimin e mbështetjes për formime profesionale që do të rezultojnë me punësime të dobishme.

Scroll Up