E ardhmja e arsimit: zgjedhje të mençura

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

E ardhmja e arsimit: zgjedhje të mençura

TEKSTI: MITKO PISHTOLOV, NIKLLAUS VALDVOGEL – FOTOT/VIDEO: HELVETAS, DANIELLA STOJANOVA – 24 SHTATOR 2019

Tregjet gjithnjë të ndryshueshme të punës kanë nevojë për ndryshime të përpiluara mirë në sistemet arsimore. Ky hap i rëndësishëm apo dinamizëm do të ndikojë në rininë dhe të ardhmen e vendeve. Një shembull i tillë është ai i shumë zgjedhjeve që ekzistojnë në fushën e arsimit – por cilat janë ato të vërtetat? Le të hedhim një vështrim mbi të ardhmen e arsimit në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor.

“Kush përfiton nga shkolla?”, pyet me zë të lartë në ekranin e në videon që para do kohë e publikoi Helvetas për përfitimet nga regjistrimi në arsimin profesional. “A është Ari, ai i cili zgjodhi të bëhej teknik i sistemeve? A është Era, e cila nisi një karrierë në sektorin e ndërtimit? Apo, nga ana tjetër, është Nora, e cila ka kaluar 12 vjet duke studiuar drejtësi në universitet, vetëm për të përfunduar në zgjidhjen e kontesteve mes vëllezërve dhe motrave të saj në tryezën e kuzhinës së prindërve të tyre? ”Këto pyetje provokuese janë pjesë e një fushate mediatike që ka për qëllim të ndryshojë perceptimin e arsimit profesional dhe të mbështetë zgjedhjet e mençura të karrierës.

Siç u diskutua në numrin e qershorit të Mozaikut, tregjet e punës po evoluojnë vazhdimisht. A mundet sektori i arsimit të ruajë dhe sigurojë forcën e kërkuar të punës? A duhet të favorizohen karrierat profesionale në raport me ato akademike? Cili është roli i zhvillimit ndërkombëtar në gjithë këtë?

 

Parashikimi i së ardhmes

Edhe nëse dikush i ka në dorë të gjitha të dhënat statistikore, është njohës i tendencave globale arsimore dhe mund të parashikojë nevojat e ekonomisë në të ardhmen, shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Një nga vendimet më të vështira me të cilat përballen sot nxënësit e shkollave fillore dhe prindërit e tyre është arsimi i mesëm. Ky vendim është edhe më i vështirë për shkak të mungesës së informacionit për karrierë dhe shërbimeve udhëzuese në shumë vende të Evropës Juglindore.

Filloristët zakonisht kanë zgjedhjen midis regjistrimit në një gjimnaz ose shkollës për arsim dhe trajnim profesional (ATP). Gjimnazi preferohet nga studentë me rezultate më të mira. Ata që regjistrohen në shkollat profesionale shpesh e bëjnë këtë meqë kjo përfaqëson një prapavijë të universitetit. Është një mundësi më pak e favorizuar. Kjo histori vlen për Maqedoninë e Veriut dhe për pjesën më të madhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Entit Shtetëror për Statistikë të Maqedonisë së Veriut, në vitin shkollor 2017/2018, përafërsisht 27.000 nxënës janë regjistruar në gjimnaze, ndërsa 42.000 nxënës i janë bashkëngjitur shkollës profesionale, duke paraqitur një proporcion prej rreth 1:1.55 në favor të shkollave profesionale. Këto shifra lexohen mjaft mirë në letër pasi shumica e nxënësve do të bëhen pjesë e një fuqie të aftë punëtore që do t’i shërbejë kërkesës së punëdhënësit, ndërsa pjesa tjetër do të marrin një diplomë universitare për tu bërë ekonomistë, avokatë ose fundja menaxherë. Dhe ekonomia do të lulëzojë. Epo, jo medoemos.

Le t’u hedhim një sy 27.000 nxënësve të gjimnazit: Me dekada të tëra, shteti dhe shoqëria e Maqedonisë së Veriut kanë qenë të prirë të udhëzojnë rininë drejt një diplome universitare. Kjo strategji u shërben mirë aspiratave të mijëra prindërve të cilët shpresojnë që fëmijët e tyre të bëhen pjesë e botës akademike, të veshur me kostum dhe kravatë. Dhe kjo mund të jetë një histori përrallore nëse dikush i shmanget parashtrimit të pyetjen përfundimtare: Cilat aftësi konkrete i përvetësojnë studentët në një gjimnaz dhe çfarë ndodh me ata që nuk arrijnë të regjistrohen në universitet?

Maqedonia e Veriut nuk është vendi i vetëm në rajon që fondet e saj i përqendron kryesisht në rrugën akademike. E njëjta gjë ndodhi edhe në Kosovë në vitin 2007, kur pragu për t’u regjistruar në universitet ishte ulur dhe ura e detyrueshme e një viti më parë doli nga përdorimi. Në shikim të parë, kjo mund të duket si një ide e mirë dhe e drejtë meqë i lejon çdo të riu nivelin më të lartë të mundshëm të arsimimit. Sidoqoftë, asnjë ekonomi nuk mund të lulëzojë vetëm me akademikë, dhe zgjerimi i shpejtë zakonisht ulë cilësinë e përgjithshme të programeve. Por kishte një axhendë të fshehur: Kosova u përball (dhe ende përballet) me një nivel mjaft të lartë të papunësisë. Shkaku për këtë vazhdon t’u përshkruhet personave kompetentë. Duke regjistruar një masë të madhe të të rinjve në universitete,  zhduken shifrat nga statistikat e papunësisë. Më pak të rinj shihen duke ecur rrugëve, duke krijuar telashe të mundshme. Por zbutja e problemeve sociale duke keqpërdorur sistemin arsimor nuk është zgjidhje afatgjate.

Le t’u hedhim tani një sy 42.000 nxënësve në shkollat profesionale në Maqedoninë e Veriut. Për rreth 2 deri 3 vjet, Maqedonia e Veriut do të ketë një gjeneratë të gatshme për të plotësuar pjesërisht hendekun në fuqinë e kualifikuar punëtore, apo jo? Epo, nuk është pikërisht ashtu. Një pjesë e konsiderueshme e shkollave të ATP-së në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor kanë një reputacion të dobët. Disa përdorin programe të vjetruara mësimdhënëse, shumica ofrojnë mundësi të kufizuara të trajnimit praktik dhe kanë komunikim të kufizuar me sektorin privat për të nxitur një bashkëpunim më të ngushtë.

 

Drejt kërkesës dhe arsimit praktik

Për hir të korrektësisë, ka shembuj të shkëlqyeshëm të shkollave profesionale në vend dhe rajon. Sidoqoftë, ata janë të rrallë. Derisa shumica e filloristëve regjistrohen në shkolla profesionale për shkak të notave të dobëta ose gjimnazeve tashmë të mbushura, një numër i caktuar regjistrohen për të marrë njohuritë dhe shkathtësitë për një karrierë profesionale. Por, a marrin vërtet nxënësit atë që u duhet në punë? Fatkeqësisht, jo

 

 

Shkathtësi praktike – kjo është diçka që të dyja palët, gjimnazistët dhe nxënësit e aftësimit profesional, nuk po e përvetësojnë mjaftueshëm. Qeveritë e vendeve të rajonit janë të vetëdijshme për këtë. Në vitin 2015, ministrat e të gjithë vendeve anëtare të BE-së dhe kandidatët për anëtarësim, duke përfshirë shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, u tubuan në Riga për të konfirmuar se ATP-ja duhet të insistojë si në aspektin e cilësisë ashtu edhe në të statusit. Ata njëzëri ranë dakord se një element specifik i ATP-së duhet të ketë përparësi, gjegjësisht të mësuarit duke u bazuar në punë (MBP), që përfshin nxënie, trajnime, praktikë dhe trajnime në vende pune në kompani. Duke iu ekspozuar situatave të punës në jetën reale, studentët mund të mësojnë të zbatojnë njohuritë teorike që i kanë përvetësuar në klasë. Kjo mund të kompensojë shkathtësitë që mungojnë.

Por pse është kaq e rrallë MBP-ja në sistemet arsimore të rajonit? Strategjitë kombëtare të ATP-së, të cilësisë së lartë, të zhvilluara zakonisht me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë, janë të pranishme në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor – por mungojnë aktet e nevojshme nënligjore. Këto ligje janë thelbësore meqë i përcaktojnë rolet dhe përgjegjësitë në lidhje me financimin e MBP-së dhe proceset e përcaktimit të standardeve të profesionit – shtylla kurrizore e çdo profesioni profesional. Motivimi politik është i dobët për t’i shtyrë përpara këto akte nënligjore pasi ato mundësojnë përgjegjësi të ministrive.

Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut aktualisht gjeneron një numër të madh ekonomistësh, avokatë, inxhinierë të TIK-ut, elektricistë, kuzhinierë, operatorë makinerish, etj. me shkathtësi të pamjaftueshme, që asnjëherë, ose rrallë janë ekspozuara në një skenar realist, ku ata mund të ushtrojnë profesionin e tyre të ardhshëm. Përderisa luftojnë për të gjetur vende cilësore të punës, punëdhënësit përballen me investime të mëdha të aftësim plotësues për t’i shndërruar ata në punëtor efikas. Bizneset zakonisht nuk janë të gatshme të paguajnë për këtë dhe këtu fillon hedhja e fajit midis sektorit privat dhe atij publik. Rezultati: papunësi e konsiderueshme e të rinjve nga njëra anë, dhe të rinj me kualifikim të lartë të cilët punojnë në sektorë që nuk kanë lidhje me temën e tyre për të cilën kanë studiuar, nga ana tjetër. Frustrimi në rritje e nxitë migrimin ekonomik.

“A e dini pse kafja më e mirë në botë shërbehet në Ballkanin Perëndimor? Meqë është përgatitur nga njerëzit me doktoraturë! ”(Shaka e zakonshme në rajon)

 

Mundësimi i fillimit pozitiv

Çështjet e përshkruara më lart na rikthejnë në pyetjet fillestare lidhur me të ardhmen e arsimit në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor, dhe si ne, si praktikues dhe organizata të zhvillimit, mund t’i mbështesim përpjekjet lokale. Përderisa nuk ka zgjidhje të shpejtë për përmirësim, ekzistojnë shumë fusha për ndërhyrje:

  1. Teknologjia dhe shërbimet ndryshojnë shumë shpejt. Sistemi arsimor mund të vazhdojë me këtë ritëm vetëm përmes partneriteteve me sektorin privat. Kërkohet inkurajim dhe mbështetje për sektorin privat për të bashkëpunuar sistematikisht me shkollat profesionale dhe për të përshtatur programet mësimdhënëse duke u bazuar në nevojat aktuale të tregut të punës. Kjo është bërë në kuadër të projektit në vazhdim PPR (Përmirësimi i Punësimit të Rinisë) në Kosovë.
  2. Zhvilloni modele të reja për MBP dhe ndihmoni partnerët t’i pilotojnë ato duke blerë rreziqet. Modelet më të mira mund të mos jenë ato që i parashikojnë fillimisht praktikuesit e zhvillimit. Prandaj, ata duhet të jenë fleksibil dhe adaptues; dhe të dëgjojnë me kujdes nevojat e partnerëve lokalë. Evitoni pagesën e drejtpërdrejtë të nxënësve ose praktikantëve, pasi kjo krijon një varësi nga donatorët. Në vend të kësaj, përpiquni të bindni vetë kompanitë të investojnë në punëtorët e tyre të ardhshëm. Të dyja projektet, PPR-ja në Kosovë dhe “Moja Budućnost” në Bosnjë e Hercegovinë, kërkojnë zgjidhje për të adresuar sfidat e papunësisë së të rinjve.
  3. Inicioni një ndryshim të perceptimit ndaj arsimit profesional. Theksoni qartë: aktualisht, profesionet profesionale (veçanërisht ato që kanë të bëjnë TIK) janë me kërkesë të lartë dhe janë mirë të paguara. Kjo ndoshta do të mbetet kështu në 10-15 vitet e ardhshme. Kjo është bërë përmes ndërhyrjes mediatike nga “Risi Albania”. Mbështetni fushatat shkatërruese dhe provokuese për të sfiduar zakonet e vjetra, konfliktet e gjeneratave, si ato midis prindërve dhe fëmijëve, si dhe stereotipat gjinore. Natyrisht, kjo duhet të ndodhë me kujdesin e duhur në mënyrë që të mos ofendojë askënd.
  4. Kini bashkëpunim të ngushtë me sektorët ekonomik  me potencial për rritje të lartë dhe ndihmojini ata të gjejnë zgjidhje individuale të industrisë, nëse sektori publik nuk është i gatshëm ose i aftë të veprojë. Sektori i arsimit joformal mund të ketë zgjidhje për të plotësuar hendekun e shkathtësive aty ku sektori formal nuk e ka. I gjithë sektori i arsimit profesional duhet të përshtatet me orientimin e tregut. Kujdesuni për kampionët lokalë, shkollat e ATP-së dhe kompanitë që janë të gatshëm të shtyjnë përpara ide të reja dhe të marrin përsipër rreziqe.
  5. Mbështetni dhe motivoni organet kompetente qeveritare që të zbatojnë akte nënligjore të dobishme dhe të mençura që përcaktojnë rolet dhe përgjegjësitë në sistemin e ATP-së. Evitoni mbivendosjen ose ligjet kontradiktore pasi ato çojnë në fajësim famëkeq. Evitoni krijimin e varësisë më të madhe nga procedurat dhe proceset nga donatorët ndërkombëtarë pasi kjo krijon një flluskë e cila do të shpërthejë sapo të mbarojnë projektet dhe fondet. Fatkeqësisht, kjo po ndodh në shumë vende të rajonit. Mendoni për zgjidhje afatgjata.
  6. Përdorni modele të suksesshme të roleve të ATP-së nga Zvicra dhe Gjermania si frymëzim dhe lehtësoni shkëmbimin e njohurive. Por evitoni kopjimin e elementeve të tyre në rrethana shumë të ndryshme në Ballkanin Perëndimor. Ajo që funksionon në këto ekonomi të krijuara nuk është e thënë të funksionojë medoemos në një vend në zhvillim. Jini fleksibil dhe dëgjoni me kujdes nevojat e partnerëve lokalë. Duke u bazuar në sistemin e dyfishtë zviceran të arsimit, ekzistojnë modele arsimi që pilotohen në një sërë vendesh të rajonit.
  7. Forconi rolin e organizatave të meso-nivelit siç janë shoqatat e sektorit, odat ekonomike, sindikatat, këshillat sektorialë dhe rajonalë. Potenciali i tyre nuk është shfrytëzuar plotësisht, dhe ata luajnë një rol vendimtar në një sistem arsimor funksional dhe të orientuar drejt tregut.
Scroll Up
Madhësia e fontit
Krijo kontrast