Integrim i personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës përmes mbështetjes së Diasporës

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

Integrim i personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës përmes mbështetjes së Diasporës

Më 31 janar të vitit 2020, projekti Arsim për Punësim në Maqedoninë e Veriut (E4E@мк) dhe Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Zvicër organizuan evenimentin “Integrim i personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut” në hapsirat e Helvetas, Cyrih. Qëllimi kryesor i këtij evenimenti ishte të sjellë diasporën maqedonase në Zvicër në një vend dhe të hulmtojë se çfarë mund të bënin ata për të mbështetur punësimin e personave me aftësi të kufizuara (PAK) në Maqedoninë e Veriut.

Dy organizata maqedonase për persona me aftësi të kufizuara (OPAK) u zgjodhën si dy aktorë sistemor që mund të menaxhojnë këtë mbështetje në të ardhmen. Kjo është arsyeja se pse Adem Idrizi nga Handimak dhe Elena Koçoska nga Polio Plus prezantuan organizatat e tyre para diasporës dhe shpjeguan situatën aktuale në drejtim të zhvillimit të shkathtësive të PAK-ve dhe integrimit të tyre në tregun e punës.

Peter Saksenhofer, drejtor menaxhues i INSOS, shoqatë zvicerane e institucioneve për PAK, prezantoi punën e institucionit të tij dhe ndau praktikat më të mira në mbështetjen e procesit të punësimit të PAK-ve. Në këtë mënyrë, të dy palët, gjegjësisht edhe OPAK-të e tanishme maqedonase edhe diaspora kishin mundësinë të njihen me përvojën zvicerane në këtë fushë dhe të hulumtojnë se çfarë mund të zbatohet më së miri në kontekstin maqedonas.

Kurt Vutrih, drejtues i ekipit të projektit E4E@мк dhe Ragmi Jusufi, prezantuan ndërhyrjet e mundshme që mund të shërbejnë si ide fillestare se si të vazhdohet në të ardhmen, dhe një skemë që përshkruan marrëdhëniet mes të gjitha palëve të përfshira. Përkundër tyre, anëtarët e ekipit të E4E@мк – Boris Trimçev, ekspert i ekonomisë dhe Nadire Selimi, specialiste e monitorimit dhe matjes së rezultateve – prezantuan projektin E4E@мк  në mënyrë që të shprehin legjitimitetin e tij për t’u angazhuar në këtë fushë.

Evenimenti u hap dhe mbyll nga E.T. z. Qenan Ramadani, ambasador i Maqedonisë së Veriut në Zvicër. Ambasada luajti një rol kyç në krijimin e rrjetit midis Diasporës për këtë rast.

Diskutimet mes rreth 80 pjesëmarrësve dhanë shenja premtuese se diaspora është e gatshme të angazhohet për të mbështetur integrimin e PAK-ve në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut.

Ky eveniment ishte qëllimi kryesor për këtë vizitë në Zvicër. Sidoqoftë, përfaqësuesit e OPAK-ve maqedonase dhe anëtarët e ekipit E4E@мк, nën drejtimin e Katarina Valker, këshilltare seniore për zhvillimin e shkathtësive, patën mundësinë të vizitojnë INSOS-in, si dhe Band-in, që është një kompani zvicerane që punëson 800 njerëz, prej të cilëve rreth 350 janë PAK. Grupi gjithashtu realizoi takim me Edin Daçiç, kryesuesin e i-Platformës – një organizatë e diasporës së Bosnjës e Hercegovinës – për të mësuar nga përvoja e projektit të tij.

Hapat e ardhshëm janë të fillohet me hartimin dhe zbatimin e ndërhyrjeve të mundshme, të cilat do të përfshijnë mbështetjen e Diasporës dhe do t’i ndihmojnë PAK-ve të zhvillojnë shkathtësitë e tyre dhe të kenë qasje në punësim të leverdishëm.

Scroll Up
Madhësia e fontit
Krijo kontrast