Përfshirja e sektorit privat për arsim cilësor profesional të fuqisë së ardhshme punëtore

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

Përfshirja e sektorit privat për arsim cilësor profesional të fuqisë së ardhshme punëtore

Më 18 dhjetor në hotelin “Aleksandar Palas”, në Shkup u mbajt Konferenca “ Përfshirja e sektorit privat për arsim cilësor profesional”, që u organizua nga projekti Arsim për punësim në Maqedoninë e Veriut (Е4Е@мк), kabineti i zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike në Qeveri dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Qëllimi i kësaj konference ishte të shihet roli dhe kontributi i sektorit privat në cilësinë e arsimit profesional, duke marrë parasysh faktin që institucionet e sistemit   mund të krijojnë zgjidhje teorike më cilësore për avancimin e arsimit profesional me mbështetjen e palëve të interesuara, por ato nuk do të japin efektin e pritshëm nëse biznesmenët dhe pronarët e bizneseve nuk përfshihen në zbatimin praktik të reformave. Me përfshirjen e sektorit privat krijohen kushte shumë më të mira për krijimin e aftësive dhe shkathtësive të nevojshme të vetë nxënësve për t’u paraqitur me sukses në tregun e punës.

Në këtë konferencë fjalim ka mbajtur edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dhe ambasadorja e Zvicrës, SH.S. Sibil Suter.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike nënvizoi se arsimi është një nga faktorët kryesorë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe më intensiv ekonomik, duke shtuar se sistemi arsimor, siç u gjet në fillim të mandatit, veçanërisht në arsimin e mesëm profesional, nuk i përmbushte nevojat reale të ekonomisë.

“Për të qenë në gjendje t’i zgjidhim problemet, së pari duhet t’i themi zëshëm dhe t’i detektojmë qartë. Mendoj se në vitet e fundit shoqëria është ndërgjegjësuar për problemet në procesin arsimor dhe ka bërë disa hapa që unë i konsideroj si hapa fillestarë drejt reformimit të arsimit. Këto janë hapa fillestarë dhe unë vlerësoj se reformave duhet t’u qasemi më shpejt dhe në mënyrë më dinamike, sepse bota dhe ekonomia na presin neve, ne duhet t’u përshtatemi atyre, ndërsa ky proces është shumë dinamik”, theksoi zëvendëskryeministri Angjushev.

Duke folur për hapat konkretë për reformat në arsimin e mesëm, zëvendëskryeministri Angjushev theksoi se arsimi i mesëm duhet të vendoset në tri shtylla: gjimnaz – ku do të mund të përfshihen prej 30-40% të nxënësve të arsimit të mesëm, ndërsa nxënësit tjerë të arsimit të mesëm të zhvillojnë mësimin në shkollat e mesme profesionale dhe të marrin dituri përmes konceptit të arsimit dual, respektivisht të mësojnë nëpërmjet punës. Për këtë duhet të harmonizohen programet mësimore, të bëhen reforma në procesin arsimor dhe të rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve se arsimi profesional nuk është për humbësit, por se me këtë përgatitje përfitohet dituri dhe profesion konkret që mund të fitohet me dinjitet.

“Për mua një vizitë në Zvicër ishte jashtëzakonisht e dobishme ku, përpos sistemeve arsimore të Austrisë dhe Gjermanisë, u njoha edhe me sistemin zviceran.  Një përqindje mahnitëse, respektivisht mbi 67% e nxënësve të shkollave të mesme janë në arsimin dual në Zvicër. Kjo nuk do të thotë se të gjithë ata do të përfundojnë si njerëz që nuk kanë perspektivë të shkojnë në universitete apo të jenë udhëheqës nëpër firma, por se ata janë njerëz që merrem me atë çfarë duan. Nuk është fat që të gjithë të jenë doktorë dhe avokatë, kështu që jo të gjithë në një shtet mund të jenë mjekë, avokatë dhe menaxherë. Doemos duhet të ketë edhe kuadro tjera. Secili duhet të gjejë lumturinë e tij dhe të mund të jetojë me dinjitet. Sot, besoni, secili që vendosë të jetë në arsim dual, ju them se ai do të ketë një jetë të mirë në të ardhmen, sepse sigurisht do të punësohet, do të ketë një profesion të sigurt , ndërsa ajo që do të vlerësohet në të ardhmen është nëse keni kompetencë e jo nëse posedoni diplomë”, nënvizoi Angjushev.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, në fjalimin e tij para të pranishmëve theksoi se në vitet e fundit është përmirësuar ndjeshëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të sistemit dhe sektorit të biznesit dhe se kompanitë marrin pjesën në krijimin e ndryshimeve, por se ka hapësirë për thellimin e këtij bashkëpunimi.

“Reformat e rëndësishme të cilat i kemi bërë në arsimin e mesëm profesional për nga ana teorike janë të shkëlqyeshme, por për efektumimin e tyre të plotë nevojitet implementim i drejtë, që është e pamundshme pa mbështetjen e komunitetit të biznesit. U bëj thirrje përfaqësuesve të këtij segmenti të rëndësishëm të shoqërisë të shfaqin iniciativë dhe angazhim më të madh për krijimin e partneriteteve me shkollat, për pranimin e nxënësve në trajnim praktik në vendet e punës ashtu siç parashihet në programet mësimore dhe në konceptin e arsimit dual dhe të njëjtit të kontribuojnë në ndërtimin e kompetencave të tyre”, theksoi Ademi.

Ministri i bëri thirrje komunitetit të biznesit që të përfshihet edhe në procesin e gjetjes së një modeli të ri të qëndrueshëm të financimit të arsimit profesional dhe trajnimit në vend, duke siguruar burime shtesë të fondeve krahas mjeteve nga buxheti i shtetit.

Ambasadorja e Zvicrës, SH.S. Sibil Suter, nënvizoi se Zvicra njihet që është ekonomia më konkurruese në botë tashmë nëntë vjet me radhë. Duket qartë se një nga arsyet kryesore për këtë është fuqia punëtore e kualifikuar, falë një sistemi arsimor profesional të zhvilluar mirë.

“Në Zvicër sektori privat luan rol të rëndësishëm në të gjitha fazat e arsimit profesional. Kjo përfshinë zhvillimin e programeve mësimore dhe implementimin e njëjtave, lëshimin e certifikatave dhe financimin e arsimit profesional. Përgjegjësia e sektorit privat në krijimin e fuqisë së ardhshme punëtore në Zvicër më së shumti shihet në pranimin e praktikantëve në ndërmarrje. Por, përfshirja e sektorit privat nuk është vetëm në nivel të kompanive. Në fakt, Odat dhe shoqatat tjera profesionale luajnë rol të rëndësishëm në sistemin zviceran për arsim profesional. Arsimi profesional nuk është detyrim i vetëm njërës palë, por është partneritet midis shtetit dhe sektorit privat. Prandaj, besojmë se për sistem cilësor për arsimin profesional që kërkohet në treg nevojitet partneritet midis sektorit privat dhe publik”, theksoi ambasadorja Suter.

Moderatore – Ivana Georgievska, Eksperte e arsimit profesional dhe trajnimit, E4E@MK

Pas përfundimit të pjesës zyrtare, konferenca vazhdoi me prezantime për projektin Arsim për punësim (Е4Е@мк), për rolin e Odës Ekonomike Bullgare-Zvicerane për kalimin në arsimin dual, si dhe për panairin e punësimit dhe praktikës në Zvicër – BAM BERNEKSPO.

Kurt Vutrih, Lider i Ekipit, E4E@мк – Çfarë roli luan sektori privat në sistemin e arsimit profesional në Zvicër? Si është rregulluar arsimi dual në Zvicër?

Në kuadër të dy panel diskutimeve që u realizuan gjatë konferencës, ekspertët nga vendi dhe nga jashtë diskutuan për përfshirjen e sektorit privat në arsim si investim dhe për efektet e përfshirjes së sektorit privat në proceset arsimore.

Vasill Radojnovski, Kryetar i Bordit, Oda Ekonomike Bullgare-Zvicerane – Projekti DOMINO – çfarë roli ka luajtur Oda Ekonomike Bullgare-Zvicerane në kalimin në arsimin dual?

Aneta Petrovska – Rusomaroski, Menaxhere për Resurse Njerëzore, EVN Maqedoni, Vasill Radojnovski, Kryetar i Bordit, Oda Ekonomike Bullgare-Zvicerane, Kurt Vutrih, Lider i Ekipit, E4E@мк, Ivana Georgievska, Eksperte e arsimit profesional dhe trajnimit, E4E@MK.

Piter Boeni, Menaxher për Zhvillim dhe Biznese, BERNEKSPO, Zvicër. Si vendosin të rinjtë në Zvicër rreth asaj se për çfarë profesioni duan të trajnohen? Panairi BAM për punësim dhe praktikë në Zvicër.

Zoran Jovçevski, Këshilltar, Qendra për Arsim Profesional dhe Trajnim – Cilat ndryshime ndodhin aktualisht në arsimin profesional? Si e rritë cilësinë pjesëmarrja e sektorit privat në arsimin profesional?

Natasha Janevska, Këshilltare e Pavarur, Oda Ekonomike e Maqedonisë – Aktivitetet dhe shërbimet e Odës Ekonomike të Maqedonisë relevante për arsimin profesional – nevojat dhe trendet.

Goce Peshev, Drejtor ekzekutiv, MAMEI – Si të arrihet interesi i shtuar i të rinjve për arsim profesional nëpërmjet bashkëpunimit të sektorit privat dhe shkollave?

Bojana Dimovska, Menaxhere e Përgjithshme dhe Drejtuese, Rontis – Inkluzioni social nëpërmjet qasjes në arsim dhe punësim për grupet e cenueshme.

Scroll Up
Madhësia e fontit
Krijo kontrast